Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka komentuar vendimin e presidentes, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor.
Ai tha se ky vendim është i vonuar dhe i motivuar nga kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilat, sipas tij, janë koordinuar edhe me presidenten.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Guri deklaroi se shpërbërja e Kuvendit ishte “lajm i mirë”, por theksoi se vendi i humbi edhe 15 ditë të tjera për shkak të tentimit për ta zgjedhur Glauk Konjufcën kryeministër.
“Shpërbërja Kuvendit është lajm i mirë, mbase është pak i vonuar se Kosova i ka humbur edhe 15 ditë të tjera. Gjatë kësaj kohe është thënë prej eksponentëve të LVV-së që Kosova po humb kohë, në bllokadë, mirëpo i humbën vendit edhe 15 ditë të tjera përmes mandatimit të Glauk Konjufcës. E siç duket marrëveshja mes Vjosa Osmanit për mandatimin e Konjufcës, ka qenë kjo që e kemi thënë gjithmonë që të tentohet të realizohet, që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor. 28 dhjetori nuk është ndonjë fatkeqësi, si LDK nuk e shohim problematik.
Sepse LDK-ja edhe në zgjedhjet e 12 tetori e 9 nëntorit ka dal partia e parë. Kështu që ne jemi jashtëzakonisht optimist sa i përket rezultatit të mërgatës. Edhe nuk i frikësohemi mërgatës…”, ka thënë Guri.
Ndonëse kritik ndaj procedurës që çoi në këtë datë, Guri tha se LDK nuk e sheh 28 dhjetorin si sfidë.
