Haki Demolli, një ndër emrat që është përfolur deri dje për postin e presidentit, ka reaguar pasi u bë i ditur kandidati konsensual i Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Ai i uroi Bekim Sejdiut besimin dhe mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për t’u zgjedhur kryetar shteti.
“Urime të përzemërta, profesorit dhe kolegut tim të nderuar, Bekim Sejdiu, për kandidaturën për President të Republikës së Kosovës!
Si profesor i Fakultetit Juridik, më gëzon tej mase fakti që një nga kolegët tanë të rinj po merr përsipër një sfidë kaq të rëndësishme dhe një përgjegjësi kaq të lartë shtetërore.
Gjatë viteve të punës sonë akademike kemi pasur rastin të ndajmë jo vetëm përvojat dhe njohuritë juridike, por edhe përkushtimin ndaj arsimit universitar dhe të ardhmes së shtetit tonë.
Nga zemra i uroj Profesor Bekimit suksese në këtë rrugëtim dhe, para së gjithash, i uroj besimin dhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen në këtë detyrë të rëndësishme shtetërore.
Njëherësh i uroj që ta udhëheqë Republikën e Kosovës me dinjitet, urtësi, integritet dhe përkushtim (ashtu siç e njohim ne Bekën), duke i shërbyer interesit të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.”