


Në gjashtëvjetorin e arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-deputeti i PDK-së dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka folur për procesin gjyqësor në Hagë dhe qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale.
I ftuar në emisionin “Politiko”, Haliti tha se është e vështirë të flitet për këtë çështje, pasi, sipas tij, opinioni publik jo gjithmonë është i gatshëm ta dëgjojë realitetin për atë që ka ndodhur.

Ai theksoi se pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kanë qenë të gatshëm të përballen me drejtësinë, duke kujtuar se vetë kishte kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës.
“Është e vështirë të flasësh realisht dhe të shprehesh, për shkak se opinioni nuk ka dëshirë ta dëgjojë realitetin se çfarë ka ndodhur. Por, sidoqoftë, ne jemi treguar të gatshëm të përballemi me drejtësinë, të gjithë pa përjashtim, anëtarët e Shtabit”, tha Haliti.

Ai kujtoi se gjatë procedurave për krijimin e Gjykatës Speciale dhe mundësinë e funksionimit të saj jashtë Kosovës, kishte shprehur qëndrimin e tij kundërshtues në Kuvend.
“Unë kam një deklaratë në Parlament dhe kisha një votë refuzuese. Sa i përket gatishmërisë për hetim, i pari kam shprehur gatishmërinë që të hetohem, që në takimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, të mbajtur në Paris. Jo pse nuk duhej të themelohej gjykata, por kam menduar se gjykata duhej të themelohej në Kosovë dhe, nëse dikush duhej të arrestohej, duhej të arrestohej në Kosovë”, u shpreh ai.
Haliti tha se më pas situata ndryshoi, ligji u miratua dhe u ndryshua edhe Kushtetuta e Kosovës, për t’i hapur rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara.
Megjithatë, ai tha se nuk kishte pritur që të akuzuarit të mbaheshin në paraburgim për një periudhë kaq të gjatë.
“Proceduralisht kjo është në rregull, por drejt të them, nuk kam pritur që mund të mbahen në arrest kaq gjatë, asnjëri. Ne kemi qenë të hetuar, më duket 13 veta. Kam menduar se një muaj ose dy, sa të kalonte procesi i marrjes në pyetje nga hetuesit, do të qëndronin atje, por kjo nuk ndodhi”, deklaroi Haliti.
Ai shprehu bindjen se ish-krerët e UÇK-së do të shpalleshin të pafajshëm nga Gjykata në Hagë.
“Mendoja se Gjykata e Hagës do t’i shpallë të pafajshëm dhe do të lirohen në gjykim, edhe kjo nuk ndodhi”, tha ai.
Në fund, Haliti u shpreh se arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e ish-krerëve të UÇK-së është një situatë e rëndë emocionalisht, duke theksuar se kishte bashkëpunuar ngushtë me ta.
“Normalisht që askush nuk do të ndihej mirë përveçse i mërzitur. E di që ka edhe asi që janë gëzuar, po i shoh komentet në Facebook. Sidoqoftë, unë së pari njerëzisht po them se ata janë bij nënash, baballarë dhe janë kontributdhënës të mëdhenj. Kam bashkëpunuar ngushtë me ta. Duhet shikuar me një sy krejt tjetër”, përfundoi Haliti.