Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetjen e plotë për Marshin për Liri, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, nën moton “Kosova po pret”.
Përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve, Hamza ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë dhe pjesëmarrje në marsh, duke theksuar se 16 shtatori është një datë e rëndësishme për Kosovën dhe për të vërtetën e luftës çlirimtare.
“Edhe 25 ditë na ndajnë nga 16 shtatori, një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe për të vërtetën e luftës sonë çlirimtare. Në prag të kësaj date, duhet ta ngremë edhe një herë zërin për historinë që e kemi jetuar dhe për çlirimtarët tanë”, ka deklaruar Hamza.
Kreu i PDK-së ka ftuar të gjitha strukturat e partisë, në çdo komunë, degë dhe nëndegë, që të mobilizohen dhe t’i bashkohen organizimit të 12 shtatorit.
“Si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e mbështes plotësisht marshin e organizuar nga platforma ‘Liria ka Emër’, më 12 shtator në Prishtinë. I ftoj të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo komunë, degë dhe nëndegë, që të mobilizohen dhe t’i bashkohen këtij organizimi qytetar”, ka thënë ai.
Hamza ka paralajmëruar se deri më 16 shtator do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera për të avokuar për drejtësi, për lirinë e çlirimtarëve dhe për pritjen e tyre në Kosovë.




