Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se Gjilani dhe Anamorava janë të vendosur t’i japin Kosovës një drejtim të ri në zgjedhjet e 7 qershorit, duke mbështetur programin e PDK-së për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Në një tubim me qytetarë të Gjilanit, Hamza tha se mesazhi që po vjen nga Anamorava është i qartë: fund krizës, çmimeve të larta dhe mungesës së perspektivës.
“Gjilani i prin ndryshimit në Anamoravë. Gjilani ka vendosur t’i thotë stop krizës, stop çmimeve të larta, pagave të ulëta dhe mungesës së shpresës. Gjilani ka vendosur të votojë ndryshe, për ta ndryshuar Kosovën”, tha Hamza.
Ai theksoi se programi i PDK-së ofron zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen qytetarët, duke nisur nga ulja e barrës financiare mbi familjet, rritja e mirëqenies dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
