Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme dhe sqarim të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është “qartazi e pabazuar” dhe, si e tillë, e papranueshme për Kushtetuesen, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim mbi këtë çështje në bazë të kërkesave të paraqitura nga deputetët e dy partive politike dhe jo mbi kërkesën e presidentes.
“Çështja lëviz vetëm atëherë kur të ketë një qartësi nga Gjykata Kushtetuese sa i përket pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit, dhe të drejtës së partisë së parë për të propozuar”.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit nuk e bën automatikisht atë jokushtetues. Vetëm Gjykata Kushtetuese, tha ai, ka të drejtë të përcaktojë kushtetutshmërinë e një procesi të tillë.
Presidentja Osmani iu drejtua më 22 korrik Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë për sqarim se cilat do të jenë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik – afat i përcaktuar më herët nga vetë Kushtetuesja. Ajo ka kërkuar, gjithashtu, vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të premten do të mblidhen për herë të 52-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, a prisni që Gjykata Kushtetuese të miratojë kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit?
Enver Hasani: Jo, për shkak se kërkesa e zonjës Osmani është e papranueshme, për shkak se është qartazi e pabazuar, dhe masa e përkohshme vihet vetëm në kërkesa kur kërkesa bazë ka merita. Kur ajo është, në shikim të parë, siç është rasti, qartazi e pabazuar, atëherë Gjykata e shpall të papranueshme.
Ajo kërkesë bazë e presidentes është absurde, pasi thotë se bëhet fjalë për konflikt për kompetenca, që nuk ekziston, absolutisht nuk mund të ekzistojë. Nuk ka konflikt pozitiv, as negativ, për kompetencë. As nuk po ia ushtron askush kompetencat e presidentes, as presidentja nuk është duke abstenuar nga ushtrimi i tyre.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kërkesën e Osmanit lidhur me sqarimet se çfarë pasojash juridike mund të ketë në rast se nuk respektohet afati i 26 korrikut për konstituimin e Kuvendit?
Enver Hasani: Absolutisht jo. Nuk besoj, nuk ka asnjë të drejtë presidentja që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për konflikt për kompetencë, dhe për sqarime të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë pasojash juridike prisni që të vendosë Gjykata Kushtetuese apo nuk do të vendosë fare asgjë?
Enver Hasani: Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit, ka bërë një gabim që nuk ka caktuar pasojat juridike. Unë kam menduar, dhe vazhdoj të mendoj, që afati 30-ditor është zbulim i Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Kushtetua është e qartë, e përcakton afatin 30-ditor për konstituim të Kuvendit, për atë është e qartë.
Gjykata ka mundur t’i përdorë ato që quheshin punime përgatitore, që unë e di që nuk ekzistojnë, por para pesë-gjashtë vjetësh gjoja i gjetëm, dhe jam i bindur që edhe ato punime përgatitore do të thoshin që afati 30-ditor nuk është afat, por është afat për të filluar seanca, por jo edhe për konstituim.
Meqë e ka caktuar, është dashur që t’i caktojë edhe pasojat për moskonstituim. Këtë nuk e ka bërë Gjykata, prandaj është detyrë prerogative e Gjykatës, mbi bazën e kërkesave që janë në vijim e sipër të deputetëve të dy forcave politike, të vendosë lidhur me pasojat juridike të moszbatimit të aktgjykimit të fundit të saj.
Radio Evropa e Lirë: Domethënë, nuk prisni që Gjykata të vendosë në bazë të kërkesës së presidentes, por në bazë të kërkesës që kanë bërë deputetët?
Enver Hasani: Po, sepse Gjykata nuk ka të drejtë ta shpallë të pranueshme – po e përsëris, kërkesa e presidentes është qartazi e pabazuar dhe për pasojë e papranueshme.
Gjykata mund të ndërmarrë masë të përkohshme edhe ex officio, jo vetëm sipas kërkesës së palëve, në këtë rast e kam fjalën për deputetë.
Dhe, në vijim të vendosjes për dy kërkesat e forcave politike, përkatësisht të deputetëve, Gjykata Kushtetuese, jam shumë i sigurt, do të sqarojë pasojat juridike të aktgjykimit të fundit, se çfarë ndodh në qoftë se ndodh konstituimi pas 27 korrikut, pas kalimit të afatit 30-ditor.
Sepse, jo vetëm Gjykata jonë Kushtetuese, por edhe gjykatat e tjera, është standard që ato e caktojnë mënyrën e ekzekutimit të vendimeve të tyre, kohën e ekzekutimit të tyre, dhe i menaxhojnë pasojat juridike të vendimeve të tyre.
Domethënë, Gjykata mund të tregojë edhe nëse formohet pas kalimit të afatit 30-ditor, ka të drejtë të tregojë se cilat janë pasojat juridike, mund të vazhdohen tutje apo mund të mos vazhdohen. Dhe, këtë e ka bërë, ju e dini, në disa aktgjykime, edhe në kohën sa kam qenë unë kryetar, dhe kohët e fundit, sikurse rasti “Hoti” dhe shumë të tjerë.
Sepse, po e përsëris, është e drejtë e Gjykatës Kushtetuese për të caktuar mënyrën, kohën dhe të menaxhojë pasojat juridike të aktgjykimeve të saj.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, nëse eventualisht deputetët e konstituojnë Kuvendin pas afatit të vendosur nga Kushtetuesja, çfarë do të thotë kjo, a do të jetë konstituimi i Kuvendit jokushtetues?