Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, për, siç ka thënë ajo, mungesën e transparencës dhe angazhimit për sigurimin e librave shkollorë, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Haxhiu, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se sot, më 21 gusht, kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në fillimin e vitit shkollor, ndërsa prindërit kosovarë përballen me pasiguri dhe kaos rreth sigurimit të librave për fëmijët e tyre.
Ajo ka ngritur pikëpyetje edhe për aktivitetin publik të ministrit Çeku, duke pretenduar se, që nga marrja e detyrës më 18 shkurt, në profilin e tij zyrtar në Facebook janë publikuar vetëm tri postime që lidhen me dikasterin e Arsimit, më 21, 22 dhe 23 maj.
“Po ku është deputeti që luan rolin e Ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku?”, ka pyetur Haxhiu.
Sipas saj, përveç një urimi formal për 7 Marsin, në profilin e ministrit nuk ka pasur njoftime të mjaftueshme për punën e Ministrisë, vizita në shkolla, takime me mësimdhënës apo sqarime për problemet me tekstet shkollore.


