Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke thënë se ato vazhdojnë të mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet territoriale të Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, zyrtarët serbë vazhdojnë me retorikë që, sipas saj, buron nga politika e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviqit, Vuçiq dhe Bërnabiq, vazhdojnë me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet e Serbisë ndaj territorit tonë. Këto deklarata janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin.
“Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin. Përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë kushte themelore për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka rikujtuar se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008 dhe se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
