Ushtruesja e detyrës së presidentes, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, tha se Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit.
Ajo tha se u humb “një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike”.
“Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim. Te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”.
Haxhiu tha se për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete, duke shtuar ai vdiq pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit.
