Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se kanë tejkaluar autorizimet gjatë një operacioni policor në Dren të Zubin Potokut.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se të njëjtit kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
Hetimi paraprak, thotë IPK-ja, ka nisur disa ditë më parë, sipas detyrës zyrtare, pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të 11 gushtit lidhur me pretendimet e qytetarit N. R. për tejkalim të autorizimeve nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë këtij operacioni policor.
Ky institucion ka bërë të ditur se Departamenti i Hetimeve do të vazhdojë të ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë.
Profesorë dhe njohës të sigurisë thonë se ky rast, por edhe rastet tjera, tregojnë se mekanizmat mbikëqyrës veprojnë ndaj çdo pretendimi për shkelje, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarit.
Por, sipas tyre, Serbia e shfrytëzon për të bërë propagandë secilin rast kur ka të bëjë me Policinë e Kosovës e institucionet e tjera të vendit.
“Por rasti është në hetim dhe nuk ka marrë ende epilog. Kjo nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, sepse institucionet e Republikës veprojnë konform përgjegjësive dhe kompetencave të tyre, pa e gjykuar nga perspektiva etnike rastin”, ka thënë Dorajet Imeri, profesor dhe njohës i çështjeve politike dhe sigurisë.
Ky rast, sipas njohësve të sigurisë, dëshmon se Policia e Kosovës ka mekanizma të brendshëm të mbikëqyrjes dhe se përgjegjësia është individuale, pavarësisht përkatësisë së zyrtarëve apo qytetarëve.



