Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç tha ai, qasje të paqëndrueshme në raport me marrëveshjet ndërkombëtare dhe projektet energjetike.
Në një postim në Facebook, Hoti deklaroi se gjatë pesë viteve të fundit është vërejtur “degradim diplomatik”, duke përmendur moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe projektit për bashkëpunim në fushën e gazit amerikan.
Sipas tij, ndërkohë që Evropa po synon të ulë varësinë nga gazi rus, Kosova nuk ka përfituar nga projektet e dakorduara më herët me Shtetet e Bashkuara, të cilat, siç tha ai, janë lënë pa zbatim.
