Analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon një krizë të brendshme, e cila sipas tij ishte paralajmëruar që nga kuvendi i fundit zgjedhor i partisë. I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Hoxha tha se mbështetja për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte qenë më e ulët në procesin e rizgjedhjes, ndërsa pas zgjedhjeve pakënaqësitë janë shfaqur edhe më hapur.
“Kjo është një krizë që u manifestua fillimisht me zërin e Hykmete Bajramit dhe Avdullah Hotit. Pas zgjedhjeve ajo u rrit në mbështetje nga degë kyçe si Lipjani, Peja, tash edhe Deçani dhe një degë e Prishtinës”, tha Hoxha.
Megjithatë, ai theksoi se këtë situatë nuk e sheh si dobësi, por si një element pozitiv për LDK-në.
“Besoj që këtë element duhet ta shohim pozitivisht. Nuk e shoh si dobësi, por si përparësi të Lidhjes Demokratike. Është subjekti i vetëm që, përkundër betejave për pushtet, arrin ta ruajë kohezionin e brendshëm. LDK ka pasur gara të forta për kryetar dhe ka arritur t’i mbijetojë krizave të tilla edhe në të kaluarën”, u shpreh ai.
Sipas Hoxhës, megjithatë, është e qartë se Abdixhiku po përballet me kundërshtim brenda partisë.
