Pas deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta kishte përfunduar spastrimin etnik në Kosovë”, deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ta mbajë premtimin për inicimin e padisë ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.
Bajrami e ka cilësuar deklaratën e zyrtares serbe si “tronditëse dhe të papranueshme”, duke thënë se një deklaratë e tillë nuk paraqet vetëm një qëndrim personal, por përpjekje për të legjitimuar politikat kriminale të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Kur një zyrtare e lartë e shtetit shpreh keqardhje që një nga krimet më të rënda në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore nuk u çua deri në fund, ajo nuk po jep thjesht një mendim, por ajo po përpiqet të legjitimojë një politikë kriminale”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se deklarata e ministres serbe është fyerje për mijëra viktima të luftës në Kosovë dhe për familjet që ende kërkojnë të pagjeturit e tyre.
“Kjo deklaratë është fyerje për mijëra viktima të luftës, për familjet që ende kërkojnë më të dashurit e tyre dhe për të gjithë ata që kanë përjetuar krimet e regjimit të Millosheviqit”, ka deklaruar deputetja e zgjedhur e LDK-së.
