Radiotelevizioni i Kosovës ka marrë rrëfimin e Altin Krasniqit, djalit të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë për shkak të procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale. Ai tregon për mungesën e gjatë të babait dhe për sfidat që familja po kalon në këto kushte.
Radiotelevizioni i Kosovës është përpjekur që, me rastin e mocionit në Gjykatën Speciale, të marrë përjetimet e familjarëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast, për RTK-në ka pranuar të flasë vetëm i biri i Jakup Krasniqit, Altini.
15 vite të jetës së tij i kaloi në burgje për lirinë dhe çlirimin e vendit. Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot po përballet me një proces gjyqësor në Hagë.
Ai ndodhet në paraburgim, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së. Në shtëpinë e tij, mungesa fizike është e theksuar. Familjarët e përshkruajnë këtë periudhë si të vështirë, ndërsa kujtojnë se shumë momente të gëzimit dhe dhimbjes i kanë ndarë me të vetëm përmes komunikimit virtual.
“Mungesa e tij këto 5 vite ka qenë e madhe. Ka qenë një moment gëzimi e hidhërimi, sepse unë jam bërë baba, por hidhërimi ka qenë se çdo gjysh në momentin e lindjes ta sheh nipin apo mbesën e tij, dhe kjo gjë i është mohuar babit tim, i cili tash e 5 vite mbahet në paraburgim,” thotë djali i tij, Altini.
Në një moshë kur pritej të ishte më afër familjes, Jakup Krasniqi u arrestua. Djali i tij, Altini, ndan kujtime dhe emocione nga kjo kohë e mungesës së gjatë të të atit. Ai kujton edhe një nga premtimet që babai i kishte dhënë, premtim që nuk u realizua.