Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për spiunazh dhe shantazh Fatmir Sheholli, të enjten u dëgjua i dëmtuari- dëshmitari Arben Jetullahu, i cilli deklaroi se rreth 200 mijë euro ishin transferuar nga ai tek i akuzuari, pas shantazhimit lidhur me publikimin e një videoje.
Jetullahu deklaroi se i akuzuari Sheholli gjatë kohës sa ishte në paraburgim i kishte kërkuar atij para si ndihmë për familjen, andaj ia kishte dërguar 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pas kësaj, sipas tij, i akuzuari i kishte dërguar porosi kërcënuese apo shantazhuese përmes bashkëpuntorit të të dëmtuarit, Lorik Retkoceri.
Dëshmitari tha se nga ajo kohë, kishte filluar t’i jepte të akuzuarit një pagë mujore prej 1 mijë euro, në vlerë totale 13 mijë euro, dhe se i njëjti figuronte si punëtor i tij.
Sipas dëshmitarit, me këtë kishte nënkuptuar ‘blerjen e paqes’ lidhur me mospublikimin e lajmeve të pavërteta rreth biznesit të tij, duke shtuar se ato lajme i kishin dëmtuar personalitetin dhe biznesin.
Jetullahu tha se i akuzuari i kishte kërkuar edhe një shumë prej 60 mijë euro si huazim për blerjen e një banese, duke i premtuar se paratë do t’ia kthejë pasi ta shesë një lokal në Podujevë ose do t’ia jepë lokalin në pronësi.
“Asnjë obligim prej tina nuk më është kthy… Në momentin që ma ka dërgu porosinë prej paraburgimit, e kam ndi veten të kërcënum dhe të shantazhum sepse porosia ishte kërcënuese dhe shantazhuese”, tha i dëmtuari.




