Instituti i Kosovës për Drejtësi ka njoftuar se ka dorëzuar të enjten padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e disa dispozitave të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.
Padia, siç thuhet, kundërshton specifikisht pikën 4 të Shtojcës 3 dhe pikën 5 të Shtojcës 4 të këtij Udhëzimi Administrativ, të cilat parashohin obligimin për pagesën prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.
Në padi thuhet se IKD konsideron se këto pika janë të kundërligjshme, pasi që përmes një akti nënligjor është krijuar një kategori e re tarifimi që nuk gjen bazë në Ligjin për Shëndetësi. Sipas këtij ligji, bashkëpagesa lidhet drejtpërdrejt me shfrytëzimin e një shërbimi shëndetësor nga pacienti. Ndërsa, personi shoqërues nuk është përfitues i ndonjë shërbimi mjekësor, nuk i nënshtrohet trajtimit, diagnostikimit apo procedurave klinike dhe për rrjedhojë, nuk mund të konsiderohet “shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore” në kuptim të ligjit.
Specifikisht, IKD në padi ndër të tjera potencon se “në mungesë të një dispozite të qartë në ligj që e njeh qëndrimin e shoqëruesit si “shërbim shëndetësor”, Ministria nuk ka bazë ligjore që ta kualifikojë atë si objekt bashkë-pagese përmes një akti nënligjor. Për rrjedhojë, paditësi konsideron se pika 4 e Shtojcës 3 dhe pika 5 e shtojcës 4 e Udhëzimit Administrativ të atakuara me këtë padi, janë të kundërligjshme, sepse formulimi në këto pika tejkalon autorizimin e dhënë nga ligji, duke e zgjeruar konceptin e “shërbimit shëndetësor” përtej asaj që është përcaktuar shprehimisht nga Ligji për Shëndetësi.
