Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk e përjashton mundësinë që raste të reja të virusit të Nilit Perëndimor të shfaqen në ditët në vijim në Kosovë.
Faik Hoti nga IKSHPK-ja ka thënë se bëhet fjalë për një infeksion sezonal dhe se, bazuar në karakteristikat e sëmundjes, pritet që numri i rasteve të vijë duke u ulur.
“Momentalisht nuk kemi raste të reja, por kjo nuk e përjashton mundësinë që të kemi në ditët në vijim, duke marrë parasysh që kemi të bëjmë me një sëmundje apo me një infeksion që lidhet me karakteristikën e sezonalitetit”, ka deklaruar Hoti në një lidhje direkte për emisionin “tre8tre” në KTV.
Shtatë raste të etheve të virusit të Nilit Perëndimor janë diagnostikuar në Kosovë që nga 7 gushti, ndërsa aktualisht nuk raportohet për raste të reja.
Sipas Hotit, nuk pritet një shpërthim i madh i rasteve, ndërsa rastet e regjistruara deri tani konsiderohen sporadike.

