Sëmundjet kronike jo-ngjitëse sikurse hipertensioni dhe diabeti, po prekin gjithnjë më shumë njerëz në Kosovë.
Mbi 21 mijë raste të hipertensionit arterial janë shënuar në vitin 2024, që përbën një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin paraprak.
Këto shifra, që dolën pas një analize të Institutit të Shëndetit Publik, vënë në pah se sëmundjet kronike jo-ngjitëse përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend. E hipertensioni arterial mbetet diagnoza më e shpeshtë.
“Nuk ka ndonjë sëmundje të njohur në botë që ka medikamente më shumë se sa Hipertensioni atreial, prandaj është shumë keq të neglizhohet një sëmundje e vrasëse kur trajtimi është në dorën e pacientit, vetë trajtimi bëhet prej ndryshimit të stilit të jetës siç është zvogëlimi i përdorimit të kripës së kuzhinës, ndërprerja e duhanpirjës, rritja e aktivitetit fizik, zvogëlimi i sasisë së ushqimit që përmban kalori të tepruara dhe krip, dhe në qoftë se këto nuk janë të mjaftueshme dhe tensioni arterial prapë është mbi vlerat referente të rekomanduara pastaj janë barnat të cilat janë disa grupe..”, ka thënë Artan Ahmeti, internist – kardiolog.
