prag të fillimit të vitit të ri shkollor, drejtori ekzekutiv i Kosovo Center for Peace, njëkohësisht imami i xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi, u ka bërë thirrje nxënëseve që kanë zgjedhur të mbajnë shaminë që ta bëjnë këtë me krenari edhe në ambientet shkollore.
Me anë të një postimi në Facebook, Maliqi ka deklaruar se mbajtja ose jo e shamisë duhet të jetë zgjedhje e lirë dhe e ndërgjegjshme e secilës vajzë, duke kërkuar që ato të mos përballen me presion, diskriminim, bullizëm apo pengesa në ndjekjen e mësimit.
Sipas tij, shamia që lë fytyrën plotësisht të dukshme nuk pengon procesin arsimor, komunikimin apo identifikimin e nxënëses.
Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të tij.
NË MBROJTJE TË DINJITETIT, LIRISË SË BESIMIT DHE SË DREJTËS PËR ARSIMIM
Në prag të fillimit të vitit shkollor 2026/2027, i cili nis më 1 shtator, u drejtohem të gjitha nxënëseve që kanë filluar ta mbajnë shaminë së fundmi (ku fytyra është e dukshme), me vullnetin dhe bindjen e tyre të lirë. Ju inkurajoj ta mbani atë me krenari dhe dinjitet edhe në shkollë, që nga dita e parë e mësimit, duke mbetur të përkushtuara ndaj dijes dhe së ardhmes suaj.
Mbajtja ose mosmbajtja e shamisë duhet të jetë zgjedhje e lirë dhe e ndërgjegjshme e secilës vajzë. Askush nuk duhet ta detyrojë një vajzë ta vendosë atë dhe askush nuk duhet ta pengojë, poshtërojë apo diskriminojë sepse ka zgjedhur ta mbajë me vullnetin e saj.
Shamia që e lë fytyrën plotësisht të dukshme nuk e pengon mësimin, komunikimin, identifikimin apo pjesëmarrjen në procesin arsimor. Rëndësi duhet të ketë çfarë ka nxënësja në kokë, e jo çfarë mban mbi kokë.


