Imami me origjinë shqiptare, Bashkim Aliu, është detyruar të largohet nga të gjitha funksionet e tij publike në Zvicër. Kështu shkruan mediumi zviceran Watson.ch, i cili i referohet hulumtimeve të gazetës SonntagsZeitung, i cili zbuloi deklarata homofobe dhe kontakte të tij me qarqe radikale islamike.
Aliu, deri në mesin e kësaj jave, drejtonte Komisionin e Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS), ndërsa ishte edhe autoriteti më i lartë teologjik i Bashkimit të Organizatave Islamike në Zürich (VIOZ).
Pas publikimit të hulumtimit, FIDS e largoi menjëherë nga detyrat, ndërsa vetë Aliu dha dorëheqje nga të gjitha pozitat brenda VIOZ-it.
Sipas gazetës zvicerane, ndër qëndrimet kontroverse të imamit ishte edhe një postim i vitit 2017, në të cilin ai e kishte cilësuar paradën “Pride” në Prishtinë si “paradë të turpit”.
Pas publikimit të këtyre deklaratave, organizatat FIDS dhe VIOZ u distancuan nga qëndrimet e tij, duke theksuar se deklaratat homofobe dhe ato që cenojnë dinjitetin njerëzor janë në kundërshtim me parimet e tyre dhe ligjin zviceran.
