Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti dhe zyrtarë të lartë të dy institucioneve po marrin pjesë në konferencën vjetore të Asociacionit Kombëtar të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në Clearwater - Florida të ShBA-së.
Delegacioni i Kosovës u mirëprit nga Kryetari Bordit, Kapiten Chris Ray dhe anëtarët e Bordit të NIAIA.
“Konferenca edhe këtë vit mblodhi përfaqësues të hetimeve të brendshme dhe mbikëqyrjes policore nga agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit në SHBA dhe me gjerë. Ndërkaq ekspertë të njohur të fushave po diskutojnë për sfidat aktuale në agjencitë e zbatimit të ligjit, tema që ndërlidhen me llogaridhënien, inovacionin, inteligjencën artificiale - sfidat në hetim, trajtimin e punonjësve toksik, ngarkesën në punë dhe mirëqenien etj. Konferenca vazhdon të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e ndërtimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet zyrtarëve dhe institucioneve”, u tha në njoftim.

