Dërgimi i më shumë se 1500 ushtarëve të Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane ka ngritur shumë pyetje rreth angazhimit të njësisë më elitare të parashutistëve në botë.
Vetëm 18 orë pas dhënies së urdhrit, një nga tre brigadat e këtij divizioni mund të dislokohet nga baza kryesore Fort Bragg në Karolinën e Veriut në çdo pikë të globit. Kjo aftësi e veçantë vendos Divizionin e 82-të në krye të njësive ajrore, duke u mbështetur edhe në historinë e gjatë të operacioneve luftarake që kjo njësie ka kryer në mbarë botën.
Thjeshtuar, Divizioni i 82-të është njësia e parë amerikane që hyn në tokën e armikut me detyrë kryesore marrjen e objekteve me rëndësi strategjike, si aeroportet, portet, qendrat komandues-komunikative, rezidencat presidenciale dhe objekte të tjera kyçe.
Në kohë paqeje, divizioni organizohet në tre ekipe luftarake brigade, secila me deri në 4500 ushtarë. Këto tri brigada, së bashku me batalionet e këmbësorisë, përbëjnë forcën kryesore të divizionit, ndërsa njësitë mbështetëse artilerike dhe të inteligjencës e zmadhojnë përbërjen totale deri në 20 mijë ushtarë, shkruan thenewyorktimes .
Në kushte paqeje, një nga këto tri brigada është gjithmonë e gatshme dhe mund të plotësohet sipas nevojave të operacioneve luftarake. Të gjithë ushtarët janë trajnuar për parashutë, ndaj shpesh thuhet se në Divizionin e 82-të “të gjithë fluturojnë me parashutë, nga kuzhinierët tek specialistët e operacioneve kibernetike”.
