Në mesin e disa qytetarëve nga Vushtrria që janë pagëzuar gjatë ditës së sotme në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë ishte edhe Fadil Musa, pjesëtar i familjes që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës në Zogaj të Vushtrrisë. Pas pagëzimit, ai ka marrë emrin Bardhyl Musa.
Ai tha se pagëzimi ishte një dëshirë e kahmotshme e familjes së tij, duke theksuar se nuk kishte pasur mundësi të pagëzohej rreth një vit më parë, kur ishin pagëzuar pjesëtarët e tjerë të familjes Musa.
“Kjo është një vullnet i kahmotshëm i familjes time, përkatësisht familjes Musa. Familja ime janë pagëzuar para një viti. Unë s’kam pasur mundësi deri sot dhe sot e kreva këtë dëshirë të kahmotshme”, tha Musa, raporton KosovaPress, transmeton Periskopi.
Duke folur për ceremoninë e bekimit të gurthemelit të kishës në Zogaj, Musa tha se pavarësisht dëshirës së familjes së tij që kjo ceremoni të mbahej më 18 gusht, ata nuk dëshirojnë përplasje dhe e konsiderojnë vendimin e institucioneve të sigurisë si një masë për mbrojtjen e qytetarëve.
“Ne s’jemi kundër kërkujt. Ne kemi pasur dëshirë me vënë gurin e themelit sot me të vërtetë, por organet e sigurisë na sugjeruan që, për shkak që mos me ndodhë ndonjë ekses, nuk bën më me mbajtë këtë manifestim dhe ne e kuptuam atë gjithsesi. Edhe kjo ishte e tëra, për shembull. Ne nuk jemi që, për shembull, me një vendimmarrjen tonë me pru sot një ton për shembull në konflikt. Jemi kundër asaj gjithsesi, gjithkush ka mendimin e vet, e shpreh mendimin e vet”, tha Musa.
Ai foli edhe për historinë e tokës së dhuruar për ndërtimin e kishës, duke treguar se kjo ishte pjesë e një amaneti të babait të tij, Rrahim Musës.
Sipas tij, në kohën e presidentit Ibrahim Rugova, babai i tij kishte ofruar dy hektarë tokë në Vushtrri për shqiptarët që mund të ktheheshin nga Turqia.
