Qytetarët e Mitrovicës nga janari i vitit 2026, do të kenë në dispozicion një urë të re të dedikuar ekskluzivisht për këmbësorë, projekt ky që pritet të bëhet simbol i ri i qytetit dhe e cila do të lidh edhe më shumë veriun dhe jugun në këtë pjesë të Kosovës.
Punimet për ndërtimin e kësaj ure janë duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe standarde të larta inxhinierike, duke premtuar jo vetëm një rrugë të sigurt për lëvizjen e qytetarëve, por edhe një hapësirë rekreative me elemente unike si ujvarë dekorative dhe pushimore.
Këto detaje i ka treguar për KosovaPress, udhëheqësi i kompanisë punëkryese, Jahir Nimani, i cili tha se në fillim të punimeve kanë hasur në telashe me ujin e lumit Ibër dhe pikat gjeodezike.
“Janari ka me qenë kur do të kalojnë njerëzit…Punët kanë ecur mirë, fillimisht kemi pas problem për shkak se ne jemi duke punuar në mes të lumit Ibër dhe ka probleme me ujin derisa të ngritemi në pjesën më lartë. Kemi pas problem edhe me pikat gjeodezike, kemi pas problem edhe me ato veç i kemi zgjedhur. Ka marrë formën e punës se si duhet të ecë me hapa të shpejt dhe të sigurt në punë. Projektin jemi pikë për pike në atë që shkruan në projekt. Është një urë më e madhe se ajo. Ura tjetër ka qenë me afat të shkurt dhe me dinamik të shpejt, edhe me këtë jemi duke ecur me dinamik shumë mirë“, theksoi ai.
Nimani ka premtuar se ura e re për këmbësor që do të lidh edhe më shumë veriun me jugun e Mitrovicës, do të jetë më e bukura në Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se kjo urë po ndërtohet me standardet më të larta të punës.
