Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se mbrëmjen e kaluar në “Colosseum Filmtheater” u shpalos një program i fuqishëm i filmave të metrazhit të shkurtër, në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin.
Në një postim në Facebook, Ajeti ka deklaruar se në publik pati përfaqësues të institucioneve gjermane, ambasadorë, përfaqësues të korit diplomatik, gazetarë, artdashës, si dhe kosovarë të shumtë që janë në diasporë.
“Secili film solli një dimension të pasojave të luftës, duke përfshirë: kujtesën përmes një portreti; dëshmi rrëqethëse për një grua që humbi burrin dhe katër djemtë në luftë, e cila jeton me kujtimin e tyre; për jetën brezit të ri pas paqes dhe me ndjeshmëri të thellë mbi temën e dhunës seksuale gjatë luftës dhe sfidat e rikthimit në jetën normale”, u shpreh Ajeti
