Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë edhe pak ditë kohë për të paraqitur njoftimet për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.
Afati i 27 nëntorit është data e fundit kur ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të dorëzojnë njoftimet për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, shkruan IndeksOnline.
Ky afat është caktuar nga Paneli i Apelit më 29 shtator 2026, pasi kishte shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e kohës në dispozicion për përgatitjen e njoftimeve për apel.
Fillimisht, afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ishte caktuar më 16 tetor, por ekipet e mbrojtjes kërkuan më shumë kohë, duke argumentuar se aktgjykimi është i gjatë dhe kompleks, se përballeshin edhe me afate të tjera procedurale dhe se aktgjykimi nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe.
Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor, por Paneli i Apelit e pranoi pjesërisht kërkesën, duke vendosur një zgjatje prej gjashtë javësh dhe duke caktuar 27 nëntorin si afat përfundimtar për të dyja palët.
Aktgjykimi i shkallës së parë është 2 mijë e 89 faqe, çka e bën atë aktgjykimin më të gjatë të nxjerrë deri më tani nga Dhomat e Specializuara, sipas njoftimeve të gjykatës.

