Asambleisti i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka njoftuar se jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë të ditur se mandatin e tij do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
Mirena e ka lidhur vendimin e tij me atë që ai e konsideron qëndrim të LDK’së ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Nuk e pranoj dhe nuk pajtohem me qëndrimin e LDK’së ndaj krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, ka deklaruar Mirena.
Ai ka thënë se qëndrimi i partisë në këtë çështje bie ndesh me bindjet dhe vlerat që përfaqëson.
“Qëndrimi i LDK’së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që kam përfaqësuar dhe vazhdoj t’i përfaqësoj. Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore”, ka thënë ai.
Mirena ka bërë të ditur se pas largimit nga LDK’ja do ta vazhdojë mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit si i pavarur.
“Mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar Mirena.
Me vendimin e fundit, Mirena largohet nga strukturat e LDK-së, ndërsa paralajmëron vazhdimin e aktivitetit të tij në Kuvendin Komunal si asambleist i pavarur.