Gjykata Themelore në Pejë të martën (27 tetor) ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sylaj është ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit nga i dyshuari- ish-kunati i saj Albert Sylaj pak pasi kishte lajmëruar Jeton Sylajn në Polici për dhunë në familje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj, sipas të cilit, ky i fundit në seancën dëgjimore deklaroi se ndien keqardhje për atë që ka ndodhur dhe se është munuar ta parandalojë.
Në anën tjetër, tani e ndjera Arlinda Zekaj gjatë deklarimit në Polici, kishte thënë se është kanosur nga i pandehuri, duke iu drejtuar policëve se a duhet të vritet që të reagojnë e ta arrestojnë atë.
Deklarata e viktimës në Polici natën që u vra: A duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin?
Sipas vendimit, në seancën dëgjimore, prokurori i shtetit Argzon Hasi ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se janë plotësuar kushtet që të pandehurit t’i caktohet paraburgimi.
Prokurori Hasi ka deklaruar se viktima gjatë intervistimit para njësitit të dhunës në familje, ka deklaruar se i pandehuri e kishte kansour me fjalët “unë të thej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon më kështu me vepru, kush je ti“, dhe pastaj ia kishte marrë rrobat e ia kishte hudh në oborr.
Po ashtu, në deklarimin e dhënë para policisë, viktima Arlinda Zekaj thuhet që deklaroi “a duhet me më vra mua Jetoni që ju policia atëherë ta arrestoni shizofrenin”.
Në anën tjetër, sipas vendimit, i dyshuari ishte mbrojtur në heshtje.
Gjashtë raste penale të hapura ndaj të pandehurit Sylaj
Më tej, prokurori Hasi kishte deklaruar se i pandehuri Jeton Sylaj ka gjashtë raste të hapura penale, ku katër prej tyre datojnë në vitin 2026. Për këtë, Prokuroria ka vlerësuar që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset që t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Avokati: Klienti im nuk ka kryer dhunë fizike ndaj viktimës




