Që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është përmbajtur një rregulli: Të mos humbasë asnjë rast për t’u takuar me udhëheqësin amerikan dhe për ta tërhequr në anën e Kievit.
Këtë të martë, ai ka mundësinë më të fundit për t’u takuar me Trump-in, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Për Zelensky-n, një takim ballë për ballë me Trump-in mund të sjellë më shumë rezultate sesa fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme.
Zelensky ishte një nga udhëheqësit që ndoqën fjalimin e Trump-it sot në Nju Jork. Gjatë fjalimit të presidentit amerikan, Zelensky ndau një deklaratë në rrjetet sociale, ku shprehet se “Zëri i Ukrainës do të dëgjohet veçanërisht fort këtu në ditët në vijim, për kthimin e fëmijëve tanë, garanci sigurie dhe rritjen e presionit ndaj Federatës Ruse. Do të bëjmë gjithçka për të forcuar pozicionet tona diplomatike, ushtrinë tonë dhe mbështetjen për popullin tonë.”
