Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar rezolutë për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se rezoluta ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë ta njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese të shqiptarëve në Luginë, me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medegjës.
“Në procedurë parlamentare, sot, dorëzova REZOLUTËN PËR POZITËN E SHQIPTARËVE NË LUGINË TË PRESHEVËS. Rezoluta ka për qëllim që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm. Nevoja për këtë Rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se ndër problemet më të theksuara janë praktika e pasivizimit arbitrar të adresave, mosnjohja e diplomave të lëshuara nga Republika e Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucionet shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe moszhvillimi ekonomik i rajonit.
Me rezolutën e propozuar bëhet thirrje për ndërprerjen e praktikave të pasivizimit të adresave, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, po ashtu zbatimin e dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore.