Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla ishin dy të propozuarat e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit gjatë seancës të së mërkurës, e që asnjëra nuk mori votat për këtë post.
Derisa Haxhiu mori gjithsej 57 vota për, Gërvalla mblodhi një më pak, pasi Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk ngriti dorën për ta votuar bashkëpartiaken e saj.
Në studion e “Ora Shtatë”, lidhur me këto zhvillime në Kuvendin e Kosovës diskutuan analistja Magbule Shkodra, gazetari Ardian Gaxherri, dhe gazetari Arlind Imeri.
Sipas Shkodrës, është mirë që Lëvizja Vetëvendosje po zbaton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese duke mos ndjekur propozimin e njëjtë për kryekuvendar/e.
“Është mirë që dje u vazhdua seanca dhe Lëvizja Vetëvendosje po zbaton aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, në kuptimin që i është përmbajtur asaj që nuk vazhdoi me propozimin e njëjtë, por e ndërroi propozimin. Por sikur të zbatohej aktgjykimi në plotni, ne do të kishim të zgjedhur dje kryeparlamentarin, sepse Lëvizja Vetëvendosje do të vepronte në kompromis, dhe në mirëbesim do të arrinte një marrëveshje me dikë, dhe do të votohej njëra kandidate”, tha Shkodra.