Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka ngritur shqetësime serioze për fatin e qindra ushtarëve shqiptarë që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), duke kërkuar që autoritetet serbe të hapin arkivat dhe të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Kandiq theksoi se Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, si pjesë e hulumtimeve për humbjet njerëzore gjatë luftës në Kosovë, ka mbledhur të dhëna për shqiptarët që shërbyen në APJ, por ato janë të paplota.
“Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, se në kazermat në Serbi ka pasur vetëvrasje të dyshuara,” tha Kandiq, duke shtuar se në të paktën tri raste familjet shqiptare kanë marrë njoftime për vetëvrasje, por nuk e kanë besuar versionin zyrtar.
Sipas saj, nëse themelohet një komision për hetimin e këtyre vdekjeve, ai duhet të bazohet në dokumente të disponueshme dhe më pas shteti serb duhet të sigurojë qasje në arkiva për të zbardhur të vërtetën.
