Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se reforma në drejtësi gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete, pasi deri më 30 qershor asnjë projektligj i pakos së drejtësisë nuk ishte miratuar.
Gjatë prezantimit të gjetjeve të monitorimit, Vullnet Bugaqki nga KDI tha se Projektligji për Byronë kishte kaluar vetëm në lexim të parë, ndërsa procesi i Vettingut nuk kishte shënuar rezultate konkrete, shkruan Ekonomia Online.
Ai theksoi se raporti ka evidentuar edhe mangësi në transparencën e konsultimeve publike, veçanërisht në arsyetimin e rekomandimeve dhe komenteve të refuzuara nga Ministria.
“Ky raport vlerëson se reforma në drejtësi për këtë periudhë kohore ka shënuar më shumë përparim procedural sesa rezultate konkrete. Deri më 30 qershor 2026, asnjë nga projektligjet e pakos së drejtësisë, pra projektligjet që vijnë nga nismat e zotimeve të pakos së drejtësisë, nuk është miratuar. Ndërkohë, ligji ose projektligji i Byrosë kishte kaluar vetëm në leximin e parë, ndërsa procesi i Vettingut nuk kishte shënuar asnjë rezultat konkret. Raporti gjithashtu evidenton edhe mangësi në transparencën e procesit. Konsultimet publike, megjithatë rekomandimet, komentet, vërejtjet dhe sugjerimet e ofruara në këto procese nuk është se janë arsyetuar nga ana e Ministrisë, pse janë refuzuar apo për çfarë arsye janë refuzuar rekomandimet e shoqërisë civile, institucioneve përkatëse”, tha Bugaqki.
Bugaqki theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat, sipas tij, synojnë forcimin e integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e politizimit në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të drejtësisë dhe shmangien e bllokadave në funksionimin e tyre.
Ai shtoi se raporti nuk ka identifikuar prova të qarta se projektligjet janë hartuar nën ndikim politik, por ka evidentuar rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të forta kundër ndërhyrjeve politike.
“Por theksojmë se rëndësi thelbësore ka edhe zbatimi i këtyre rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Këto rekomandime përfshijnë kryesisht forcimin e garancive të integritetit, mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e politizimit në përzgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, si dhe shmangien e bllokadave në funksionimin e këtyre mekanizmave. Sa i përket ndikimit politik, raporti nuk ka identifikuar se ekzistojnë prova të qarta që mbështesin përfundimin se këto projektligje janë hartuar ose nën ndikimin politik. Megjithatë, raporti evidenton rreziqe strukturore që kërkojnë garanci më të qarta kundër ndërhyrjeve ekzekutive dhe legjislative te institucionet e drejtësisë”, tha ai.
