Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka cilësuar absurde kërkesat e Rusisë në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ajo ka theksuar se përparësi duhet të jetë arritja e një armëpushimi, përpara se palët të diskutojnë kushtet e një marrëveshjeje paqeje.
Duke folur përpara takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, më 16 nëntor, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë u shpreh se negociatorët që merren me Moskën duhet të këmbëngulin për ndalimin e luftimeve, përpara se të shqyrtojnë kushtet e paraqitura nga Kremlini.
“Nuk mendoj se kërkesat ruse janë serioze. Dua të them, këto janë kërkesa absurde që ata kanë paraqitur. Pra, përsëri, nëse është një pretekst për të vazhduar luftën, për të pasur sa më shumë shkatërrime të jetë e mundur, atëherë duhet të jemi të sigurt dhe të shtyjmë këdo që të jetë ekipi negociator që të shtyjë për një armëpushim”, tha Kallas.
Ajo theksoi se ekipi negociator evropian duhet ta bëjë ndalimin e vrasjeve një kusht paraprak për zhvillimin e bisedimeve thelbësore për paqen.
“Ndalojeni këtë [vrasjen e ukrainasve] dhe pastaj mund të ulemi dhe të negociojmë marrëveshjen e paqes”, u shpreh ajo.
E pyetur për përbërjen e delegacionit evropian që do të marrë pjesë në negociata, Kallas tha se vendimi u takon udhëheqësve të BE-së. Megjithatë, ajo bëri të ditur se do të vijojë të angazhohet në përgatitjen e përmbajtjes së negociatave.
“Udhëheqësit vendosën kështu, kështu që është vendimi i tyre. Por siç thashë, kam ministrat e jashtëm çdo muaj, kam ekspertët në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm që i njohin negociatat e mëparshme, të cilët janë ekspertë edhe për Rusinë. Kështu që mund të vazhdoj të punoj mbi substancën për ta mbajtur fokusin edhe te thelbi”, tha ajo.
Kallas kishte ofruar më herët të shërbente si përfaqësuesja e vetme e Evropës në negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, duke iu referuar mandatit që mori në vitin 2024, kur u emërua për të përfaqësuar Bashkimin Evropian.
