Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të shpallë sa më parë konkursin e ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
IKD vlerëson se vendi tash e katër vite funksionon pa një kryeprokuror të zgjedhur me mandat të rregullt.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se megjithëse reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës sipas përbërjes së re është jetësuar dhe ekziston kuorum i mjaftueshëm për funksionim, procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit nuk është zhvilluar që nga tetori i vitit 2023, kur Presidentja e Republikës së Kosovës e ka kthyer vendimin në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Tash po bëhen katër vite që kur Kosova është pa kryeprokuror të shtetit. Dhe tash aktualisht jemi në fazën kur reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës sipas përbërjes së re është jetësuar dhe nevojitet vetëm edhe një anëtar që të zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Megjithatë, ka kourum të mjaftueshëm për të funksionuar. Që nga koha, që nga tetori i vitit 2023, kur Presidentja e Republikës së Kosovës e ka kthyer vendimin në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mungesë totale të përgjegjësisë, nuk e ka zhvilluar përsëri konkursin, nuk e ka bërë përsëri shpalljen e një konkursi të ri për kryeprokuror të shtetit, në mënyrë që të zgjedhet një kryeprokuror një emër që del nga një proces i rregullt, meritor dhe transparent, siç nuk kishte ndodhur në procesin e parë”, tha ai.
Shala, theksoi se përgjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur papërgjegjësi totale nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke mos e zhvilluar procesin e ri për zgjedhjen e kryeprokurorit.
“Dhe tash do të thotë përgjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur një papërgjegjësi totale nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke mos e zhvilluar procesin e ri për kryeprokuror të shtetit. Për këtë arsye, si efekt i jetësimit të reformës së re në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka rekomanduar Këshillit Prokurorial të Kosovës që ndër veprimet e para të saj duhet të jetë shpallja e një konkursi të ri për kryeprokuror të shtetit, dhe zhvillimi i një procesi transparent, të barabartë dhe meritor për këtë pozitë, në mënyrë që emri i ri i kryeprokurorit të shtetit të mos dalë nga një proces me integritet të kontestuar”, tha ai.
