Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e shtatë, në të cilën ka miratuar disa projektligje dhe vendime tjera.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi projektligjet për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, si dhe Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas njoftimit, Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore do të ketë përgjegjësi për mbrojtjen e monumenteve dhe pasurive kulturore, përfshirë ndërhyrjen ndaj punimeve të paautorizuara dhe masat kundër dëmtimit të trashëgimisë.
Qeveria ka ndarë gjithashtu 1 milion e 852 mijë e 350 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, si dhe ka miratuar subvencionimin e renovimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Në mesin e vendimeve të tjera është edhe miratimi i kërkesave për autorizimin e ministrit përkatës për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë.

