Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmimin e bërë nga Washingtoni se presidenti amerikan Donald Trump kishte ndalur një sulm të Serbisë ndaj Kosovës “very very recent”, i është dashur ta sqarojë në një konferencë për media pas kthimit në Prishtinë nga një vizitë disa ditëshe jashtë vendit. E para e shtetit ka deklaruar se gjatë fundit të muajit maj kishte pranuar informacione specifike për lëvizje të forcave serbe dhe se për këtë kishte njoftuar të gjitha institucionet e sigurisë.
“Në të gjitha takimet përgjatë vizitës kemi folur edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Siç e dini të gjithë gjatë vizitës sime në SHBA kam deklaruar se Serbia ka pasë për qëllim dhe ka ende për qëllim që të destabilizojë situatën në gjithë rajonin tonë dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Më konkretisht, në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informatave kemi pasë takime me institucione të sigurisë të cilat me raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizimin e duhur për mbrojtjen e vendit”, kishte thënë presidentja Osmani.
Lidhur me këtë deklarim të presidentes së Kosovës, Gazeta Express ka drejtuar dy pyetje specifike në adresë të misionit paqeruajtës shumëkombësh të KFOR-it, të cilët kujdesën për sigurinë e Kosovës në vijën kufitare me Serbinë.
Pyetja I: A keni marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë majit 2025, ose në ditët e para të qershorit, se forcat serbe po lëvizin përreth kufirit të Kosovës dhe ka ndonjë rrezik për lëvizje destabilizuese?
Pyetja II: Apo a e keni njoftuar ju, si KFOR, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për një gjë të tillë gjatë majit 2025 [nëse ka pasur një lëvizje të tillë të forcave serbe], meqenëse KFOR është i pranishëm në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë?
