Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Gjilanit dje, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një kafeneje në rrugën “Ibrahim Rugova”, tre persona kanë humbur jetën.
Mes viktimave janë babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur si argjendarë në qytet, të cilët u vranë në rrethana të dhunshme.
Personi i tretë që humbi jetën është Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës i cili është dhëndri i Selami Hasanit.
Bujar Hoxha është njëri nga të plagosurit që aktualisht ndodhet në QKUK duke u trajtuar.
Për gjendjen e tij ka folur drejtori i Klinikës Abdominale, Enver Fekaj.
”Bëhet fjalë për Bujar Hoxhën 41 vjeçar, dje ka ardhë në qendrën emergjente, ka pasë disa lëndime në kokë në pjesën e sipërme, por lëndime që s’kanë kërkuar trajtim kirurgjik me anestezion të përgjithshëm, Këto lëndime në kokë kanë qenë në formë të plagës me anestezion lokal, e lëndime ka pasë në abdomen, ku faktikisht është kërkuar trajtimi kirurgjik në sallë të operacionit me anestezion të përgjithshëm, bëhet fjalë për lëndime të zorrës së hollë ku kemi punuar sipas protokoleve, aktualisht është i shtrirë në njërin prej reparteve të Kirurgjisë Abdominale, sot e kam vizituar edhe personalisht është vizituar edhe prej neurokirurgut prap, pacienti është i vetëdijshëm është stabil, komunikativ. Normal është një dinamikë për me pa rrjedhën, por besoj që ka me kalu pa telashe edhe pse nuk mundemi me konkludu për epilogun përfundimtar mirëpo besoj që ka me kalu”, tha Fekaj për Gazetën Demos.
Fekaj tha se plagët në kokë ishin si pasojë e goditjeve e jo plumbave.
”Plagët në kokë edhe në dorë i ka pasë ma shumë për shkak të goditjeve, jo prej plumbave e në abdomen prej plumbave ku i ka pasë dy vrima hyrëse pra ka depërtu në abdomen edhe ka shkaktuar lëndime të mëdha, përkatësisht të zorrëve të holla”, tha tutje ai për Demos.