Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë një vlerësim pozitiv për atë që bën, nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Ozkan Ulutash.
Sipas tij, personeli i organizatave të sigurisë në Kosovë, ku bën pjesë edhe FSK, vazhdon të zhvillojë aftësitë e tij dhe kjo ndihmon bashkëpunimin me KFOR-in”.
Ulutash tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka treguar përparim të dukshëm.
“Performanca e saj në stërvitjet e përbashkëta, si “Golden Sabre 2026”, e zhvilluar së fundmi, është një shembull i qartë i këtij progresi, veçanërisht në një fushë të rëndësishme si asgjësimi i sigurt i mjeteve shpërthyese”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.
Ushtaraku turk tha se NATO vazhdon ta mbështesë FSK-në në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), i cili zhvillon një gamë aktivitetesh mbështetëse, përfshirë ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe koordinimin e trajnimeve.
