Të martën, QKUK ka lidhur kontratën e re për sigurimin fizik të klinikave.
Nga sot, klinikat e saj do të sigurohen nga kompania private e sigurimit fizik Security International Group (S.I.G.) Sh.p.k., e cila është në pronësi të Ferid Berishës, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Marrëveshja mes QKUK-së dhe S.I.G. Sh.p.k. vlen 1.1 milion euro, bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi të martën.
Kontrata ka kohëzgjatje gjashtë mujore.
Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë përmes një procedure të negociuar të prokurimit publik. Nëntë kompani kanë ofertuar në këtë tender, tregon Dosja e Tenderit. Fituese e tenderit nuk është përzgjedhur oferta me çmimin më të lirë.
Katër oferta të tjera ishin më të lira, por ato u shpallën të papërgjegjshme nga komisioni vlerësues i ofertave.
Oferta e kompanisë S.I.G. Sh.p.k u shpall oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët, raporton Paparaci.
Shërbimet e sigurimit fizik, të cilat tash e më shumë se një dekadë kryhen nga operatorë privatë, ishin ndërprerë më 22 qershor të këtij viti, pasi kontrata paraprake e QKUK-së me një kompani private të sigurimit ishte anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. OSHP gjeti shkelje në kontratën e nënshkruar mes QKUK-së dhe kompanisë ‘Skyfterat – Live’.
Nga 24 qershori, sigurimin e klinikave të QKUK-së e mori në dorë Policia e Kosovës, sipas një marrëveshje të lidhur mes menaxhmentit dhe Policisë.
“Kam kërkuar nga Policia e Kosovës që gjatë kësaj periudhe ata me qenë prezent në shërbim të sigurisë fizike të objekteve të klinikave”, tha Osman Hajdari, u.d. i drejtorit të QKUK-së në një deklaratë për media më 24 qershor. “Prej sot, edhe në formë fizike, policia do t’i vendos cilat janë pikat më kyçe.”
Ndonëse paralajmëroi që një kontratë e re me një operator privat do të nënshkruhej brenda muajit qershor, procesi u tejzgjat. Ai u përmbyll gati dy muaj më vonë.
Firma S.I.G. Sh.p.k, e cila e fitoi kontratën, është në pronësi të Ferid Berishës, ish-komandanti i Njësisë Speciale “Tigrat e Zi” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Berisha, gjatë luftës është njohur me nofkën “Shkupi”.
Ai, me disa shokë të tij kishte lënë Holandën në prill të vitit 1998 dhe i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.