Komuna e Ferizajt ka reaguar ashpër ndaj mosparashikimit të financimit për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në Qarkoren Buxhetore për vitin 2027, duke e cilësuar këtë vendim skandaloz dhe me pasoja të rënda për arsimin e lartë dhe zhvillimin ekonomik të qytetit.
“Ferizaj nuk lejon mbylljen e Universitetit. Lajmi i ditëve të fundit që po konfirmohet edhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, se përmes Qarkores Buxhetore për vitin 2027 (kufijtë buxhetor për vitet 2027,2028 dhe 2029) nuk është përfshirë në planifikim buxhetor nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Ministria e Financave – financimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është skandaloz, në shkelje të plotë ligjore e mbi të gjitha një sulm institucional mbi një institucion universitar siç është USHAF, institucion ky që u themelua me sakrifica të shumta, me punë vetmohuese të jashtëzakonshme të profesoratit e stafit tjetër, me dije e përpjekje që lartësuan këtë Universitet në shembull jo vetëm për vendin por edhe më gjerë në kufijtë ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
