Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Prishtinës ka hapur thirrjen publike për përkrahjen e fermerëve në sektorin e perimtarisë përmes ndërtimit të serrave smart me sipërfaqe prej 500 metrash katrorë.
Sipas njoftimit, përkrahja parashihet për dy lloje të serrave: “Tunel” dhe “Bllok”, të dyja me sipërfaqe prej 500 metrash katrorë.
Për të aplikuar, fermerët duhet ta kenë pronën në territorin e Komunës së Prishtinës dhe të jenë banorë rezidentë të saj. Në rastet kur toka merret me qira, aplikuesit duhet të kenë marrëveshje të noterizuar ndërmjet palëve, me kohëzgjatje prej së paku pesë vjetësh.
Një nga kriteret e përgjithshme është që fermerët aplikues të kenë së paku 0.20 hektarë tokë të pandarë të mbjellë me perime, përfshirë specin, domaten, sallatën e gjelbër, trangullin ose karrotën.
Për serrat e tipit “Tunel”, parcela duhet të jetë së paku 66.50 metra e gjatë dhe 12 metra e gjerë, ndërsa për serrat e tipit “Bllok” kërkohet parcelë me gjatësi minimale prej 35 metrash dhe gjerësi prej 20 metrash.
Komuna ka përcaktuar edhe kriteret specifike të përzgjedhjes. Përparësi do të kenë fermerët që kanë sipërfaqe më të madhe të mbjellë me perime, ndërsa në kushte të barabarta përparësi do t’u jepet fermerëve dhe anëtarëve të familjeve që nuk kanë përfituar më parë sera nga komuna apo donatorët në bashkëpunim me komunën.
