Dy republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që t’i vazhdojë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), raportoi të hënën mediumi amerikan The Hill.
NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë së saj është në duart e kompanive ruse.
Pronarët rusë gëzojnë 56.15 për qind të aksioneve, prej të cilave 44.85 për qind i përkasin kompanisë shtetërore Gazprom Neft.
Kongresistët republikanë Joe Wilson dhe Keith Self i dërguan të premten letër Departamentit amerikan të Thesarit, në të cilën kundërshtuan zgjatjen e lehtësimit nga sanksionet për NIS-in.
“Po ju shkruajmë për t’ju kërkuar me respekt që ta rishikoni zgjatjen e të gjitha licencave shtesë të përkohshme që do t’i mundësonin Industrisë së Naftës së Serbisë të vazhdojë punën, pavarësisht sanksioneve amerikane që lidhen me pronësinë e saj ruse”, thuhet në letër, raporton Radio Evropia e Lirë
Letra i është drejtuar sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent.
NIS-i i kërkoi javën e kaluar Departamentit amerikan të Thesarit t’ia lëshojë një licencë të re, e cila do t’i mundësonte vazhdimin e punës.
Licenca e tanishme për NIS-in, e lëshuar nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, skadon më 30 shtator.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e të ardhurave nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
