Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar sot në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis.
Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, duke vënë theksin te dialogu politik dhe forcimi i lidhjeve ekonomike.
Ai ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve
"Përkrahja që Greqia dha për liberalizimin e vizave për Kosovën është ndër hapat që i kanë dhënë vlerë të drejtpërdrejtë bashkëpunimit mes dy vendeve tona. E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike".




