Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se, sipas saj, miratimi dhe zbatimi i tyre do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në platformën X, Kos ka bërë të ditur se sot ka diskutuar me kryenegociatorin Jeton Zulfaj për rrugën e integrimit të Kosovës në BE.
“Sot diskutova për rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian me kryenegociatorin Jeton Zulfaj. Pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe në Planin e Rritjes. Ajo ka bërë gjithashtu përparim të mirë drejt përfshirjes në SEPA”, ka shkruar Kos.
Megjithatë, ajo ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara.




