Kosova dhe Gjermania kanë diskutuar për progresin dhe prioritetet në zvogëlimin e barrës administrative dhe transformimin digjital të administratës publike, në kuadër të konsultimeve ndërqeveritare për bashkëpunim zhvillimor.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu është takuar me përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it.
Sipas njoftimit të ministrisë, përmes një projekti të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga GIZ-i, Gjermania ka mbështetur programin për zvogëlimin e barrës administrative. Në kuadër të tij janë digjitalizuar një numër i madh shërbimesh dhe janë zhvilluar sisteme për menaxhimin e licencimit të profesioneve të ndryshme, njohjen e diplomave, shërbimet e punësimit dhe menaxhimin e rasteve.
Po ashtu, në Administratën Tatimore të Kosovës është duke u testuar asistenti i parë digjital bazuar në inteligjencë artificiale.




