Dështimi për formimin e Qeverisë së re dhe shpërndarja e Kuvendit do ta çojnë Kosovën në vitin e ri me kufizime buxhetore, duke i lënë në dispozicion vetëm 1/12-tën e tij në dispozicion. Për të shmangur bllokadën, legjislatura e dhjetë, e cila pritet të dalë nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit, duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.
Shpërndarja e legjislaturës së nëntë të Kuvendit pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, do të krijojë kufizime në raport me përdorimin e buxhetit nga ky vit në vitin e ri.
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, përcakton kufizimet në ndarjet buxhetore kur vendi hyn në vitin e ri pa e miratuar buxhetin e ri.
Neni 24, saktëson se në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje parlamentare në katër muajt e fundit, ligji mbi ndarjet buxhetore, i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet “thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me 8.33 % të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.
Në këto rrethana, për shmangien e bllokadës në kuletën e shtetit, legjislatura e dhjetë e Kuvendit duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.
