Kosova e ka dorëzuar raportin për zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burime nga Komisioni Evropian (KE).
Kosova ishte vendi i fundit që dorëzoi raportin, më 15 korrik, ndërsa afati skadoi po në mesnatë të asaj dite.
Ndërkaq, burimet shtuan se nuk prisnin që Bosnje dhe Hercegovina të dorëzonte ndonjë dokument, pasi Sarajeva është e vetmja që nuk ka miratuar Agjendën e Reformave dhe, rrjedhimisht, nuk i ka nënshkruar as marrëveshjet për financim dhe hua.
Pas pranimit të raporteve nga shtetet, Komisioni Evropian do të vlerësojë se deri ku kanë arritur vendet e rajonit në zbatimin e reformave.
Pas pranimit të raporteve nga shtetet, Komisioni Evropian do të vlerësojë se deri ku kanë arritur vendet në zbatimin e reformave. Më pas, në bazë të vlerësimit për rezultatet e arritura përcaktohet shuma që secili shtet merr.
“Pas pranimit të raporteve, Komisioni do të vlerësojë zbatimin e hapave përkatës reformues dhe do të marrë vendim për disbursimin e fondeve përkatëse”, deklaroi më 15 korrik për Radion Evropa e Lirë (REL) zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Më 30 qershor skadoi afati për periudhën e katërt të raportimit lidhur me përmbushjen e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes.
Përveç kësaj, më 30 qershor 2026 skadoi edhe e ashtuquajtura periudha “grejs” që Komisioni Evropian kishte miratuar për hapat reformues që fillimisht ishte paraparë të përfundonin në mesin e vitit 2025.
Për hapat reformues, afatet e të cilëve ishin fundi i vitit 2024 dhe fundi i vitit 2025, periudhat përkatëse “grejs” skadojnë më vonë gjatë vitit 2026.
Përveç dallimeve mes vendeve të rajonit në shkallën e zbatimit të hapave reformues, ekzistojnë edhe dallime në pagesat e deritanishme nga Komisioni Evropian.
Deri më tani, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë tri pagesa të rregullta nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
