Kosova me ushtarët e saj të FSK-së, ka gjasa ta marrë përsipër një rol domethënës për sigurinë në Rripin e Gazës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për këtë pjesë të Palestinës.
Ani se nuk është konfiruar ende zyrtarisht nëse shteti më i ri në Evropë do të udheheq trupat që do ta ruajnë zonën problematike, nëpër faqe të ndryshme internet që raportojnë për siguri, janë publikuar harta në të cilat Kosova figuron si përgjegjëse për Gazën Veriore.
Se republika që edhe vetë ruhet e mbrohet nga një forcë ndërkombëtare, KFOR-i i NATO-s, është rreshtuar ndër vendet e para që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa në kuadër të trupës shumëkombëshe të krijuar për stabilizimin e situatës në Rripin e Gazës, e ka konfirmuar edhe komandanti i kësaj force, gjenerali i ushtrisë së shteteve të bashkuara, Xhasper Xhefers. Një gjë të tillë e ka bërë edhe vetë shteti i Izraelit.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të premten në Uashington, e ka falënderuar Kosovën për angazhimin në këtë nismë, duke e cilësuar vendin si anëtar themelues në “Bordin e Paqes” dhe si kontribuues për ISF-në në Gaza, bashkë me Indonezinë, Kazakistanin, Marokun dhe Shqipërinë. Kjo e fundit, figuron si përgjegjëse për zonën Deir al Balah.
Në Prishtinë ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar që 100 per qind e konfirmon këtë gjë, por lajmet se Kosova mund të jetë përgjegjëse për siguri në Gazën veriore është parë si një mundësi dhe hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të saj ndërkombëtar në operacionet paqeruajtëse dhe stabilizuese.
“Nëse Kosova e merr komandën e zonës në veri të Gazës, e cila është e paraparë të udhëhiqet nga një gjeneral brigade, do të jetë e arritura më e madhe në konsolidimin ndërkombetar të shtetësisë së Kosovë, qe nga vendimi i GJND-së për shpalljen e pavarësisë së vendit tonë. Kjo njëkohësisht do te paraqet edhe përgjegjesinë më të madhe të vendit tonë në skenën nderkombëtare”, ka shkruar njohësi i çështjeve të sigurisë, Lulzim Peci.
