Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar se ndalohet importi i shpezëve, kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Italia, pas identifikimit të sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip HPAI–H5N1, në disa rajone të këtij shteti.
Sipas raportit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Raportit të Komisionit Evropian, të datës 4 nëntor 2025, sëmundja është e pranishme në ferma komerciale dhe te shpezët e egra në Regjionin Emilia-Romagna dhe Lombardia.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore, AUV ka vendosur që importi i shpezëve dhe produkteve të tyre të ndalohet, përveç rasteve kur produktet vijnë nga fermat e pa prekura nga sëmundja brenda një rrethi prej 50 km larg zonave të infektuara.
